Liverpool merr (vitin tjetër) talentin Keita nga Leipzig

29/08/2017 00:00

Pasi po iu qëndron fort joshjeve për të shitur Coutinhon te Barcelona, Jurgen Klopp kërkoi përforcime cilësore për Liverpoolin, por është kënaqur pjesërisht. Tekniku, që e njeh mirë kampionatin gjerman të futbollit, arriti të bindë mesfushorin Nabi Keita, talent i lindur në vitin 1995, që militon aktualisht te skuadra Leipzig.

Mesfushori do të luajë me Liverpoolin, por do të mund ta bëjë këtë vetëm pas 1 korrikut të vitit 2018. Futbollisti nga Guinea kaloi me sukses vizitat mjekësore në klinikën e Wilmslow, por do të zbarkojë në “Anfield Road” vitin që vjen. Leipzig vendosi të mos privohet menjëherë nga talenti, që vjen nga kryeqyteti Conakry i Guinesë, për ta pasur në dispozicion në debutimin historik në Champions League.

Liverpool do të paguajë klauzolën prej 48 milionë paundësh në fundin e këtij sezoni. Për të siguruar prioritetin në krahasim me rivalët, ekipi anglez do t’u paguajë gjermanëve edhe një bonus, si dhe do ta lejojë Nabi Keita që të mbetet te Leipzig edhe për 9 muaj.

Top Channel