“Kriza, vakuum kushtetues. Zgjidhja mund të mbërrijë nga Thaçi”

29/08/2017 00:00

Kriza politike në Kosovë dhe pamundësia e partive për të siguruar shumicën e nevojshme për konstituimin e Kuvendin ka nxjerrë në pah një vakuum konstitucional në vend.

Deri më tani kanë dështuar gjashtë përpjekje për ta arritur këtë, por ende vendi nuk ka as kryetar Kuvendi, proces që më pas do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Kjo situatë, sipas konstitucionalistëve të Kosovës nuk parashikohet në Kushtetutën e vendit. Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se dokumenti themeltar nuk parashikon afate kohore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Është mangësi serioze e Kushtetutës që nuk e ka paraparë një situatë të tillë, për arsye se kushtetutë-bërësi ka menduar se nuk do të vijë deri te situatat e tilla, ngërçet e tilla, mosshfrytëzimi i autorizimeve të tilla. Kjo për arsyen se vetë posti i kryetarit të Kuvendit nuk është ndonjë post i rëndësishëm dhe vendimmarrës, në kuptimin e ekzekutivit. Ai konsiderohet si një post koordinues i operacioneve më tepër teknike dhe operative, bashkë me kryesinë dhe nënkryetarët e Kuvendit”, deklaron ai për REL.

Një zgjidhje e mundshme, sipas tij, mund të mbërrijë nga Presidenti i vendit. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës i jep atij kompetencën dhe detyrimin që të kujdeset për funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit.

Top Channel