Hysaj: Ia dalim, zbatojmë idetë e trajnerit!

28/08/2017 00:00

Para se të bëhej pjesë e grupit të lojtarëve të trajnerit të ri të Kombëtares, Elseid Hysaj foli për Top Channel për pritshmëritë nga Panucci, por edhe për të ardhmen e tij në skuadrën e Napolit.

TCH: Rikthimi në përfaqësuese me një trajner të ri. Çfarë mendimi keni për këtë?

Elseid Hysaj: Nuk e kam takuar ende. Pata një përshëndetje me të në televizor dhe tani do të takoj. Besoj pas stërvitjes së parë do të shikohet edhe mënyra e punës me trajnerin e ri, ndërsa ne na mbetet ta aplikojmë sa më parë idetë e trajnerit në fushën e lojës.

TCH: Çfarë i mungon në këto momente përfaqësueses, teksa jemi përballë dy ndeshjeve me Lihtenshtetjnin dhe Maqedoninë, e cila në letër është edhe më e vështira?

Elseid Hysaj: Me Maqedoninë është më e vështirë, por më parë duhet të mendojmë për Lihtenshtejnin. Kjo kombëtare duhet të luajë lojën që bëjmë gjithmonë si një grup i vërtetë. Të aplikojmë të gjitha idetë e trajnerit në fushën e lojës dhe besoj se do të ja dalim.

TCH: Me afrimet e reja në mbrojtje, a mendoni se do të ketë një ndryshim pozicioni për ty?

Elseid Hysaj: Është ende herët për këtë, pasi siç e thash ende nuk e kam takuar trajnerin dhe nuk e di se çfarë idesh mund të ketë ai. Duhet të punojmë sot në stërvitje të flasim për objektivat dhe pastaj të ja lëmë fushës së lojës.

TCH: Pak ditë nga fundi i merkatos, do të mbeteni te Napoli apo do të ketë një lëvizje surprizë për Hysajn?

Elseid Hysaj: Napoli do të jetë gjithmonë skuadra ime besoj. Nuk besoj se do të ketë surpriza.

Top Channel