La Vuelta, Alaphilippe fiton etapën e tetë

27/08/2017 00:00

Julian Alaphillippe është fituesi i etapës së 8 të xhiros së Spanjës. Çiklisti francez që iu rikthye aktiviteteve pas dëmtimit të pësuar në gju, u shfaq në një formë shumë të mirë gjatë kësaj etape ku regjistroi edhe suksesin e tij të 9 në karrierë në ture të rëndësishëm.

4 orë 37 minuta e 55 sekonda ishte koha e regjistruar nga Alaphillipe në suksesin e kësaj etape. Në vendin e dytë u pozicionua Polanc, ndërsa në vendin e tretë u rendit polaku Majka.

Britaniku Chris Froome e mbylli etapën në vendin e 14, me 87 sekonda më shumë se Alaphillipe, duke fituar sekonda të vlefshme ndaj rivalëve të tij për suksesin e përgjithshëm të xhiros së Spanjës.

I vetmi që e përballoi sulmin e tij në ngjitjen e fundit të etapës ishte Alberto Contador, i cili pas përfundimit të xhiros së Spanjës do të tërhiqet përfundimisht nga aktivitetet çiklistike.

Përsa i përket renditjes së përgjithshme, Froome e kryeson atë me kohën 32 orë 26 minuta e 13 sekonda. në vendin e dytë vazhdon të jetë Chaves me 28 sekonda më shumë, ndërsa i treti është Roche. Contador është në vendin e 17 me 3 minuta e 10 sekonda më shumë se Froome.

Top Channel