Ndeshja e kthimit, një “mundësi” për Shkëndijën

24/08/2017 00:00

Shkëndija e Tetovës do të luajë sot në mbrëmje në orën 20:45 ndaj Milanit në ndeshjen e kthimit të Play Off-in të Europa League me vetëdijen se do të duhet më shumë se një mrekulli për të qëndruar në këtë turne.

Humbja tenistike 6-0 në stadiumin San Siro ndaj skuadrës së Montelës e ka nxjerrë “de fakto” jashtë kompeticionit ekipin shqiptar të Maqedonisë.

Më shumë se rezultati sot në “Telekom Arena” të Shkupit, do të luhet për emrin e kundërshtarit që e ka vënë Shkëndijën në vitrinën e futbollit evropian, dhe në thuajse çdo gazetë e televizion kontinental.

Për Milanin do të mungojnë shumë titullarë duke nisur nga portieri Donaruma, në mënyrë që të jenë në formën optimale për ndeshjen e fundjavës në Serinë A ndaj Kaljarit.

90 minutëshi është kthyer gjithsesi në festë për tifozët që kanë nisur të mbushin që pasdite shkallët e stadiumit të Shkupit.

Top Channel