Milan fiton edhe në Shkup ndaj Shkëndijës

24/08/2017 00:00

Aventura e Shkëndijës së Tetovës në Europa League përfundoi bashkë me fërshëllimën e trefishtë në stadiumin e Shkupit që sanksionoi humbjen e dytë në po kaq ndeshje ndaj Milanit.

Në një skenar të pamundur që i rezervoi shorti, shqiptarët e Maqedonisë nuk i tradhtuan parashikimet dhe u dorëzuan përballë italianëve me disfatën 0-1 në Shkup që gjithsesi ishte më e lehtë të kapërdihej se tërmeti 6 ballësh para një jave në San Siro.

E vogël përballë ambicieve dhe kualitetit të italianëve, tetovarët kërkuan të mbyllin me nder një provë gjithsesi pozitive në Europë ndërsa formacioni i trajnerit Osmani fitoi zemrat dhe ovacionet e tifozëve, plot 33 mijë të tillë në Shkup.

Cutrone pas 13 minutash lojë prishi ekuilibrat në impiantin Filipi i dytë me një finish klinik brenda zonës së tetovarëve dhe ky ishte dhe goli i vetëm i skuadrave në të gjithë 90 minutëshin.

Armend Alimi dhe kapiteni Hasani kishin në këmbët e tyre topin që mund t’u jepte një gol historik, por dështuan në kuadratin e mbrojtur nga Storari.

Shkëndija e Tetovës eliminohet nga Europa League pasi regjistroi 3 viktima më parë në futbollin kontinental, Dacian, Helsinkin dhe Trakain. Ndërkohë Milani i Montelës favorit për trofeun, pret shortin me garancinë se do të jetë një kokë grupi dhe do ketë rivalë më të dobët se veten.

Top Channel