
Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e disa terreneve sportive për 220 nxënësit e fshatrave të Shëngjergjit që frekuentojnë Shkollën e Bashkuar në Verri.
“Aktualisht, po punojmë në të 191 shkollat e Tiranës. Ajo që është speciale për shkollën këtu në Shëngjergj, në fshatin Verri, është se është një shkollë që i shërben një krahine të tërë, me 220 nxënës, pra janë 220 familje që marrin shërbime nga kjo shkollë dhe si kurrë më parë kemi një ambient sportiv të denjë për çdo shkollë edhe në mes të bllokut në qendër të Tiranës, me fushë futbolli, volejbolli, basketbolli, me pistë atletike, me sallat e zhveshjes dhe me të gjitha nevojat bazike për orët e mësimit dhe për të gjithë ata që duan të merren me sport”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se fushat sportive nuk do të përdoren vetëm nga nxënësit, por edhe nga komuniteti pasditeve: “Dua të inkurajoj komunitetin që ta konsiderojë këtë një hapësirë të tyren mbas mbarimit të orës së mësimit, të jenë ata që e frekuentojnë dhe që kalojnë kohë. Çdo fëmijë, çdo i ri që heqim nga bilardot, nga bingot, nga kazinoja dhe kafet, është një jetë e fituar dhe e dobishme, jo vetëm për këtë komunitet, por për të gjithë Tiranën e madhe”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bën thirrje prindërve të zgjedhin shkollën e bashkuar në Verri, duke premtuar se paralel me investimet do të zgjidhen edhe mësuesit më të mirë: “Këtë vit, bashkë me DAR-in, jemi fokusuar që mësuesit më të mirë të shpërndahen në mënyrë proporcionale, për t’u siguruar që shkollat nuk ecin me shpejtësi të ndryshme. Dua t’i inkurajoj të gjithë prindërit që të fokusohen tek shkolla e tyre më e afërt për t’u siguruar që gradualisht zhdukim çështjen e arsimit me dy turne në të gjithë qarkun e Tiranës”.
Me në fokus sportin elitar, Veliaj tha se do të vijojnë punimet për fazën e dytë të parkut olimpik me pishinat olimpike dhe terrene sportive. Një lajm tjetër i mirë është se së shpejti pallati i sportit “Asllan Rusi” do të transformohet në një ambient sporti modern.
Top Channel