Botërori i basketbollit, Kosova njeh kundërshtarët në kualifikuese

24/08/2017 00:00

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka mësuar kundërshtarët për fazën e ardhshme kualifikuese të kampionatit botëror “Kinë 2019”.

Në shortin e hedhur në Mynih, përfaqësuesja shqipfolëse u vendos në grupin C, së bashku me rivalë të fortë kontinentalë si Polonia, Lituania dhe Hungaria.

Kualifikimet e kampionatit botëror të basketbollit “Kina 2019” do të fillojnë më 23 nëntor, për të përfunduar më 25 shkurt të vitit 2019, por nga grupet aktuale, në rrethin e ngushtë të kualifikimit kalojnë 3 skuadrat e para në grupe.

Ndeshjen e parë, Kosova do ta luajë në Prishtinë ndaj skuadrës gjigante në basketbollin botëror, Lituanisë, më 23 nëntor. Tre ditë më vonë, Kosova do të udhëtojë në Hungari, që njëherësh do të jetë ndeshja e fundit për këtë vit.

Yjet e basketbollit kosovar do t’i kthehen kualifikimeve më 23 shkurt të 2018-s, me ndeshjen si mysafirë kundër Polonisë, kurse më 26 shkurt do të luajnë si mysafirë të Lituanisë. Ndërkohë, dy ndeshjet e fundit Kosova do t’i zhvillojë në shtëpi kundër Hungarisë, më 28 qershor 2018 dhe më 1 korrik 2018, kundër Polonisë.

Kalendari vijon me sfidën ndaj lituanezëve, ndërsa përballja e fundit është verën e ardhshme ndaj Hungarisë në Prishtinë.

Top Channel