Reformë për pronat. Zgjidhje objekteve me probleme për legalizimin

22/08/2017 00:00

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi se sektori i pronës do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila përveçse do të rrisë sigurinë e pronave, parashikon zgjidhje edhe për ngërçin e krijuar nga mijëra objekte informale, të cilat aktualisht nuk mund të legalizohen.

“Përmbyllja tërësore e procesit të legalizimeve dhe gjetja e zgjidhjeve ligjore për objektet, për të cilat legjislacioni aktual nuk e lejon legalizimin e tyre. Për këto arsye jemi duke përgatitur një bllok ndryshimesh dhe përmirësimesh ligjore, si dhe propozimet përkatëse, për t’i dhënë udhë këtyre problematikave komplekse”, u shpreh Lame.

Shqipëria ka 323 mijë objekte informale. Lame tha se, për një pjesë të madhe, procesi i legalizimeve ka përfunduar.

“E gjetëm institucionin në vitin 2013, pas 8 vitesh qeverisjeje të djathtë, me vetëm 21 mijë legalizime të kryera dhe sot kemi arritur në shifrën e 144.154 legalizimeve të kryera. Nga 320 mijë objekte që ishin në sistem, në 306.800 prej tyre ka përfunduar verifikimi në terren”, tha më tej Lame.

Kreu i ALUIZNI-t tha se vitin e fundit ka nisur puna edhe për zhbllokimin e një tjetër ngërçi, sipas tij të madh.

“Atë të legalizimit dhe hipotekimit të pallateve të braktisura nga pronarët, apo me problematika të mbajtura. Është një nga proceset me të vështira për shkak të kompleksitetit që ka secili rast, e jam i kënaqur që procesi megjithatë vijon me siguri”, theksoi Artan Lame.

Lame tha se reforma parashikon edhe ristrukturimin e thellë të ALUIZNI-t dhe hipotekave për të zgjidhur përfundimisht problemet me pronat në vend. Ndaj, ai u ka bërë thirrje të gjithë specialistëve që të aplikojnë për të qenë pjesë e këtyre institucioneve.

Top Channel