Debati për kthimin e vizave dhe sugjerimi i Policisë së Holandës

22/08/2017 00:00

Një dokument i Policisë dhe Prokurorisë holandeze mbi rrezikun e kriminalitetit shqiptar sugjeron kthimin e regjimit të vizave për vendin tonë.

Dokumenti në fjalë i është drejtuar vet qeverisë holandeze, e cila në fakt nuk ka bërë ndonjë kërkesë zyrtare apo publike për ashpërsimin e masave, ndaj shqiptarëve që futen në zonën “Schengen”.

Ndërkohë, gjatë së martës 3 deputetë holandezë të Partisë Social-Demokrate i kanë adresuar Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Drejtësisë një shkresë me 12 pyetje, ku kërkojnë të hidhet dritë nëse është vërejtur rritja e kriminalitetit shqiptar në Holandë, si dhe u janë referuar një sërë artikujsh dhe publikimesh nga shtete të ndryshme të BE-së, ku flitet për kriminalitetin shqiptar, për të cilat kërkohet të dihet nëse janë marrë parasysh nga autoritetet holandeze.

Tre deputetët, pjesë e partisë CDA në Holandë, që në vitin 2013 i kërkoi zyrtarisht qeverisë holandeze mosdhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE Shqipërisë, kërkojnë të marrin përgjigje për këto pyetje brenda dy javëve.

Në vendin tonë debati përfshiu edhe politikën. Ish-kryeministri Berisha akuzoi me një status në “Facebook” qeverinë, ndërkohë që po nga “Facebook”-u ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ky i fundit komentoi duke thënë se “Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave!”.

Ndërkohë të dielën erdhi edhe reagimi i drejtoreshës së Përgjithshme të Kufirit dhe Emigracionit, e cila tha se nuk ka pasur asnjë ankesë nga Holanda për çështjen e shqiptarëve që udhëtojnë pa viza në zonën “Schengen”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta