Atentat ndaj ish-presidentit të Dinamos së Zagrebit

22/08/2017 00:00

Në pritje të ndeshjes së dytë të Europa League, që vlen një vend në fazën e grupeve, Dinamo e Zagrebit është tronditur nga një atentat ndaj ish-presidentit të klubit, Zdravko Mamiç.

Biznesmeni kontrovers kroat, i cili është akuzuar më parë për fshehje të taksave, trukim të ndeshjeve dhe përfshirje në organizata kriminale, është plagosur me armë zjarri, në një sulm që synonte eliminimin e tij.

Zdravko Mamiç ishte në qytetin e vogël Zidine, në një kishë lokale, për të kujtuar vdekjen e babait të tij Josip, por dy persona të maskuar e me armë i zunë pritë, duke e plagosur në këmbë.

Ish-presidenti i Dinamos së Zagrebit mori ndihmën mjekësore, ndërsa siguroi të gjithë për shëndetin e mirë. Imazhet e tij duke buzëqeshur ndërsa linte spitalin ishin thuajse një sfidë për ata që e donin të vdekur.

Dinamo e Zagrebit, kundërshtari i së enjtes për Skënderbeun, denoncoi agresionin duke kërkuar kapjen e autorëve për plagosjen e këshilltarit të klubit kroat.

Mamiç është një figurë e dyshimtë e futbollit dalmat. Ai ka qenë më herët këtë vit në bankën e të akuzuarve për korrupsion dhe fshehjen e dy milionë euro taksa në transferimet e futbollistëve. Mamiç ka qenë më parë zëvendëspresident i Federatës kroate të Futbollit.

Top Channel