Maqedoni “shqiptarësh” ndaj Shqipërisë në Strumicë

21/08/2017 00:00

Trajneri i kombëtares maqedonase të futbollit, Igor Angelovski u tregua i kujdesshëm në fjalët e tij që i paraprinë listës për kualifikueset e ardhshme të Botërorit, por vlerësoi Izraelin dhe Shqipërinë si kundërshtarë të të njëjtit nivel.

Në listën e prezantuar në Shkup nga trajneri maqedonas janë dhe 4 futbollistë me origjinë shqiptare.

Ferhan Hasani, kapiteni i Shkëndijës që ka frymëzuar këtë sezon kuqezinjtë në Europë; Ezgjan Alioski që militon me Leeds United; Enis Bardhi i Levantes dhe Visar Musliu i Vardarit janë mes emrave të përzgjedhur.

“Ne duam të krijojmë një cikël që do të garantojë lojë dhe cilësi për shumë vite në kombëtaren maqedonase. I besova Iliev në rolin e portierit, pasi luan tek Arsenali dhe është e ardhmja jonë, së bashku me Zajkov dhe Musliun. Leonard Zhuta nuk është në listë, pasi nuk jam i kënaqur me lojën e tij në kombëtare”, tha trajneri Angelovski.

Trajneri i Maqedonisë la të kuptohej se nuk pret shumë nga kualifikueset e mbetura.

“Izraeli dhe Shqipëria janë përfaqësuese që mund t’i quajmë të të njëjtit nivel me ne. I njohim këto kombëtare dhe shpresoj të marrim rezultate të mira në shtator”, tha Angelovski.

Maqedonia do të impenjohet ndaj Izraelit më 3 shtator në stadiumin e Haifas, ndërsa më 8 shtator do të presë Shqipërinë e trajnerit Panucci në stadiumin e Strumicës.

Top Channel