Cancelo vishet zikaltër, punohet edhe për afrime të tjera

21/08/2017 00:00

Joao Cancelo është lojtari më i ri i Interit. Mbrojtësi portugez ka mbërritur sot në Milano, ka kryer vizitat mjekësore dhe ka firmosur kontratën me zikaltrit.

Cancelo erdhi nga Valencia, si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit me mesfushorin francez Kondogbia, i cili sot u zyrtarizua te spanjollët.

Cancelo ishte një nga objektivat e zikaltërve, për krahët e mbrojtjes dhe do të jetë në dispozicion të Spallettit që në ndeshjen e të shtunës ndaj Romës, pavarsisht se duket e vështirë që ta nisë si titullar.

Drejtuesit zikaltër tani vazhdojnë merkaton, në kërkim të një qendërmbrojtësi dhe një sulmuesi.

Mangala i Manchester City duket si më i mundshmi për t’iu bashkuar mbrojtjes zikaltër, por orët e fundit ka dalë në skenë edhe një shkëmbim mes Ranochias dhe Fazzios së Romës.

Sa i përket repartit të sulmit, edhe aty ka një përballje Inter-Roma, për transferimin e sulmuesit çek, Patrick Schick, e ardhmja e të cilit pritet të vendoset brenda 48 orëve të ardhshme.

Gjithashtu zikaltrit janë shumë pranë transferimit të sulmuesit 20 vjeçar të Caen, Yann Karamoh, ndërsa detajet e marëveshjes pritet të sistemohen gjatë ditës së mërkurë.

Top Channel