Daja, me këmbë në tokë: Festa, pas 180 minutave

20/08/2017 00:00

Me barazimin 1-1 në Zagreb, përballë Dinamos, Skënderbeu ka bërë mirë vetëm gjysmën e rrugës për në fazën e grupeve. Me të mbërritur në Korçë, ekipi vazhdon stërvitjen, e ndërgjegjshme se përballë kanë ende një kundërshtar shumë të fortë dhe, pavarësisht paraqitjes shumë të mirë atje, ende nuk kanë siguruar asgjë.

“Duhet të jemi me këmbë në tokë, rezultati i ndeshjes së parë nuk na siguron asgjë. Ka shumë rëndësi ajo që do të ndodhë në Elbasan. Në këto ndeshje me sistem eliminimi, në fazën ‘play off’, rëndësi ka ajo që bën në 180 minuta, jo vetëm në një ndeshje”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Ndërkohë, trajneri nuk ka lënë pa përmendur edhe njëherë shijen e keqe që i ka lënë skuadrës korçare, sjellja e policisë maqedonase, pasi kanë mbërritur në Shkup nga Zagrebi. Ekipi i Skënderbeut është shoqëruar me polici deri në kufi, duke mos u lejuar të ndalojë për asnjë arsye.

“Na la një shije shumë të keqe ajo sjellje. Njerëzit kishin nevojë të ndalonin, qoftë për të pirë ujë, apo për nevoja personale, pasi kishim 3-4 orë që udhëtonim me autobus. Sporti nuk ka lidhje me politikën. Ishte e papranueshme një sjellje e tillë”, tha Ilir Daja.

Gjithsesi, asgjë nuk ndikon në uljen e moralit te skuadra korçare, që duket e gatshme për të përsëritur historinë, po për këtë i duhet të zhvillojë në të njëjtin nivel edhe ndeshjen e kthimit, ditën e enjte, në “Elbasan Arena”.

Top Channel