Arsenali mban Sanchezin. Rrezikon ta humbasë falas

16/08/2017 00:00

Arsene Wenger këmbënguli se komplikimet financiare nuk janë aspak të rëndësishme kur diskutohet çështja e Alexis Sanchez te skuadra e Arsenalit.

Trajneri francez tha se sulmuesi problematik, që ende nuk ka firmosur rinovimin, me të gjitha gjasat nuk do të shitet, edhe nëse kjo nënkupton që londinezët të humbasin miliona paund nga largimi i tij falas, verën e ardhshme.

Sulmuesi kilian ka vetëm 12 muaj të mbetur në kontratë dhe do të ishte i lirë të largohej nga “Emirates Stadium”, nëse nuk pranon kontratë të re. I pyetur mbi një përditësim në çështjen e kontratës së futbollistit latin, trajneri i Arsenalit ishte i qartë.

“Nuk kemi bërë aspak progres në këtë fushë. Për momentin, Alexis Sanchez është një futbollist që po konsumon vitin e fundit të kontratës, por duhet të bëjmë një zgjedhje mes eficencës në fushë dhe interesit financiar. Në këtë dilemë, unë favorizoj anën sportive”, tha Wenger.

Sanchez është objektiv i gjigantëve të Premier League, si Manchester City dhe Chelsea, por la të kuptohet se nuk do të lëvizë në merkaton verore. Ai shmangu gjithashtu paralelet krahasuese me sulmues të tjerë.

“Nuk mendoj se ka një situatë të njëjtë dhe krahasim me Diego Costën te Chelsea. Ne e duam Sanchezin në fushë dhe jo jashtë”, tha Wenger.

Top Channel