Katastrofa natyrore në Sierra Leone, me qindra viktima

15/08/2017 00:00

Sierra Leone ka nevojë për ndihmë urgjente për mijërat e njerëzve që janë goditur nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet masive në kryeqytetin Freetown dhe përreth tij.

Presidenti i vendit, Ernest Bai Koroma tha se komunitete të tëra janë zhdukur dhe se katastrofa e ka vënë në gjunjë shtetin.

Autoritetet lokale në Freetown thanë se numri i viktimave ka arritur në thuasje 400 dhe janë planifikuar varrime masive për të liruar morgjet.

Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për të gjetur të mbijetuar mes shkatërrimit, ndërsa Ministria e Brendshme lajmëroi se të humburit janë me mijëra.

Autoritetet thanë se shpresojnë që shumë nga këta njerëz të jenë larguar te të afërm, por gjithsesi mungojnë në apel.

Shirat e dendura të fundjavës shkaktuan përmbytje masive në Freetown dhe rrëshqitje të mëdha të dheut, që kanë shkatërruar e groposur me qindra shtëpi. Sipas ekspertëve, kjo katastofë llogaritet si më e rënda në të gjithë Afrikën gjatë dy dekadave të fundit.

Përmbytjet dhe stuhitë nuk janë asgjë e re për Sierra Leonen, por problemi i vërtetë është varfëria ekstreme dhe shtëpitë prej kartoni që shkatërrohen lehtësisht nga furia e natyrës.

Top Channel