Juve, Higuain e Dybala kërkojnë falje: Meritonim më shumë; Allegri e Chiellini…

14/08/2017 00:00

Sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain është shpallur si një ndër lojtarët më të dobët në fushë, gjatë sfidës së mbrëmjes së kaluar Juventus-Lazio, e vlefshme për Superkupën e Italisë dhe e fituar nga lacialët.

Por ai, sikurse Allegri dhe shokët e tjerë të skuadrës, duket se nuk tenton të gjejë justifikime. Në vend të kësaj, “Il Pipita” ka kërkuar mbështetjen e tifozëve, pasi kjo do të ndihmonte në reagimin e shpejtë të skuadrës në fushë.

“Do të doja t’iu kërkoja falje tifozëve të Juventusit për ndeshjen e mbremshme. Meritonim më shumë nga sa morëm. E di që mund dhe duhet të bëjmë më shumë, por ky është vetëm fillimi dhe, tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve. Premtoj se do të jetë një vit fantastik që do ta përjetojmë së bashku”, shkruan argjentinasi në rrjetin social “Instagram”.

I së njëjtës linjë duket edhe Paulo Dybala, autor i një dygolëshi (një nga penalltia), i cili reagoi me irritim pas pësimit të golit të tretë nga Lazio duke hedhur shishen e ujit.

“Duhet të tregojmë të gjithë së bashku më shumë përgjegjësi. Nuk zhvillum një ndeshje të denjë për një skuadër të madhe. Ishim mirë në 10 minutat e para, por për 60 minuta të tjerë thuajse nuk ishim në fushë. Nuk besoj se bëra një paraqitje të mirë, pasi munda të zotëroj topin aq sa doja, madje edhe dy golat e shënuara nuk ndryshojnë asgjë. Ndoshta nëse do të zhvilloheshin kohët shtesë mund të ndryshonte gjithçka, pasi ata dukeshin më të shqetësuar sesa ne pas barazimit 2-2. Por nuk u treguam të zotë për të mos pësuar golin e tretë”, thotë argjentinasi tjetër.

Megjithatë, te Juventusi duket se ekziston edhe një tjetër “përplasje”. Pas asaj mes Allegrit dhe Bonuccit, që detyroi këtë të fundit të kërkonte dhe kompletonte transferimin te Milani, kamerat e medias italiane pas 90-minutëshit të djeshëm kapën Allegrin teksa bisedonte diçka me Chiellinin. Dhe siç aludojnë mediet italiane, fjalët e “Max” ishin: Mattia (De Sciglio) duhet lënë jashtë!

Top Channel