Teatri shqiptar, në Kinë me veprën e Shekspirit

09/08/2017 00:00

Një trupë e teatrit shqiptar do të marë pjesë për herë të parë në Kinë. “Zbutja e Kryeneçes” e Shekspirit është vepra e përzgjedhur për të qenë pjesëmarrëse në dy festivale atje dhe përgatitjet janë thuajse drejt përfundimin për nisjen në shtator.

Ndryshe nga shfaqja e vendosur rreth një vit e gjysmë më parë në TK, këtë herë trupa shkon më e përfaqësuar me Ndriçim Xhepën, Naum Shundin, Indrit Çobanin, etj.

“Përzgjedhja është bërë në bazë të DVD-ve të shfaqjeve. Janë dërguar me anë të postës në Kinë dhe pastaj nëpërmjet komisioneve ka filluar dhe faza e përgjedhjes, derisa arritëm tek ‘Zbutja e Kryeneces’”, deklaron regjisorja Elma Dorezi.

Një rol të madh në përzgjedhje ka luajtur padyshim Shekspiri dhe vepra e tij, por edhe tërësia e asaj që shfaqja ofron.

“Jam e sigurt që loja e aktorëve, kostumografia, skenografia, muzika dhe mizanskena kanë luajtur rolin e tyre. Jam e bindur që të gjitha nga pak, i pari Shekspiri dhe më pas të tjerat, kanë bërë të mundur që të përzgjidheshim”, thotë Dorezi.

Por Dorezi nuk mund të hedhë pas edhe një sërë kritikash që grotesku që ajo përdori në shfaqe e nxorri nga shinat veprën e Shekspirit, për të sjellë para publikut komedinë që tërheq. Ajo thotë se shfaqja është marrë si shembull edhe në teatrot fqinje.

“Një shfaqje çuditërisht në Athinë është vendosur me të njëjtin koncept. Aty nuk kanë patur kritika të tilla mbi deformimin e Shekspirit”, shton Dorezi.

Top Channel