Botërori i Atletikës, Van Niekerk mbron titullin e 400 m

09/08/2017 00:00

Wayde Van Niekerk arriti të mbrojë titullin e tij botëror në garën e 400 m për meshkuj. Në Botërorin e Londrës, atleti afrikanojugor fitoi me shumë lehtësi medaljen e artë në këtë disiplinë me kohën 43.98 sekonda.

Niekerk u favorizua në këtë sukses edhe nga mungesa e rivalit të tij, Isaac Makwala i Botsvanës, i cili mungoi për shkak të një virusi që ka prekur edhe atletë të tjerë. Në vendin e dytë duke fituar medaljen e argjendtë u rendit atleti nga Bahamas Steven Gardiner, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi Harun  nga Katari.

Në hedhjen e shtizës për femra, Barbora Spotakova rikthehet te titulli botëror pas 10 vitesh. Atletja çeke triumfoi në Londër me hedhjen prej 66.76 m, por surprizën e kësaj dite në Botërorin e atletikës e dhuroi Sam Kendricks. Amerikani fitoi garën e kërcimit më shkop, një disiplinë që prej kohësh dominohet nga francezi Lavileni. Amerikani fitoi me 5.95 m ndërsa Lavileni u detyrua të kënaqej me medaljen e bronztë, ndërkohë që të argjendtën e fitoi polaku Lisek.

Në 800 m për meshkuj fitorja i shkoi francezit Bros që la në vendin e dytë polakun Kshzot, ndërsa në vendin e tretë u rendit keniani Bett. Në 3000 m me pengesa për meshkuj, triumfoi keniani Kipruto me 8 minuta 14 sekonda e 12 të qintat duke bërë që Kenia të regjistrojë suksesin e 12 në 15 edicione të botërorit të atletikës në këtë disiplinë.

Top Channel