Botërori i atletikës, McLeod ‘ngushëllimi’ i Xhamajkës

08/08/2017 00:00

Omar McLeod është ngushëllimi i momentit për atletikën xhamajkane pas disfatave të Bolt dhe Elaine Thomson në garat e tyre respektive në 100 m.

McLeod u shpall kampion bote në garën e 110 m me pengesa për meshkuj duke e fituar atë me kohën 13.04 sekonda. Medalja e argjendtë i shkoi rusit Shubenkov që garonte si sportist neutral, ndërsa atë të bronztë e fitoi hungarezi Baji. Rekordmeni botëror Aries Merrit nuk shkoi më shumë se vendi i pestë.

Në garën e 1500 m për femra, triumfoi keniania Kipyegon me 4 minuta 2 sekonda e 59 të qintat. Në vendin e dytë me medaljen e argjendtë u rendit amerikania Jenny Simpson, ndërsa ajo e bronztë i shkoi Caster Semenyas, që është specialiste e garës së 800 m.

Në hedhjen e çekiçit për femra suksesi ishte i Polonisë. Anita Vlodarçik ishte ajo që u shpall kampione e botës në këtë disiplinë me një hedhje prej 77.9 m duke lënë pas kinezen Wang dhe bashkëkombasen e saj Kopron që fituan respektivisht medaljen e argjendtë dhe të bronztë.

Në kërcimin 3 hapësh për femra, triumfoi venezueliania Julimar Rohas me 14.91 m. Në vendin e dytë u rendit kolumbiania Ibargen, ndërsa e treta doli atletja nga Kazakistani, Rybakova .

Top Channel