Festivali në Plavë e Guci

07/08/2017 00:00

Plava dhe Gucia për tre ditë me radhë mirëpritën edicionin e dytë të festivalit, “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i cili përkoi edhe me 20-vjetorin e veprimtarisë së përvitshme: “Alpet shqiptare, Vuthaj 2017”.

Gjatë këtij takimi në lëndinën mes maleve të larta u mblodhën më shumë se pesë mijë vuthjanë të ardhur nga zonat përreth: nga Kosova, Shqipëria, dhe Malësia e Madhe, si edhe dhjetëra mërgimtarë, që kishin ardhur së bashku me familjet e tyre, nga SHBA dhe Europa, për të shijuar bukuritë mahnitëse të alpeve shqiptare.

Gjatë këtyre ditëve ansamble dhe grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi shpalosën vlerat më të arrira të folklorit tonë burimor, këngën e moçme, kostumet dhe vallet.

Artistët pjesëmarrës në festival u nderuan me mirënjohje dhe çmime. Vendi i tretë i takoi ansamblit “Prishtina”. Në vend të dytë u rendit ansambli “Shotë Galica” dhe me çmimin e pare u nderua ansambli polifonik “Qepini”, Vlorë.

Juria e festivalit shpalli grupin më të mirë të valleve ansamblin “Shkupi”. Unioni Artistik i Kombit shqiptar do të vazhdojë traditën e organizimeve të tilla përveçse në trevat shqiptare, edhe në diasporë.

Top Channel