Barça, Coutinho e Dembele, zëvendësuesit e Neymar

07/08/2017 00:00

Te Barça ka ende tifozë të shokuar për largimin e Neymar, por braziliani duket se i ka bërë nder ekipit blaugrana, pasi i ka “financuar” në njëfarë mënyrë merkaton e kësaj vere.

Nga sa bëjnë të ditur mediet e huaja sportive, brenda kësaj jave Barcelona pritet të njoftojë zëvendësuesin e “O Ney”, që duket se zgjodhi paratë e PSG-së, edhe pse e ka mohuar vet një gjë të tillë.

Philippe Coutinho, nga radhët e Liverpoolit, është emri i parë që lakohet. Me brazilianin, Barça ka një akord prej kohësh, ndërsa duket se më në fund është arritur marrëveshja edhe me klubin anglez. “The Reds” kanë dhënë “dritën jeshile” për largimin e ish-futbollistit të Interit, një operacion ky që mund të kapë shifrat e 150 milionë eurove, së bashku me bonuset.

Emri i dytë është ai i Ousmane Dembele, nga Dortmundi. Për këtë lojtar duhen ende përpjekje dhe tratativa, pasi deri më tani është bërë vetëm oferta e parë zyrtare në dyert e klubit verdhezi. Katalanasit janë gati të derdhin plot 70 milionë euro, plus bonuse, për talentin francez, por duket se kaq nuk mjaftojnë për të bindur Dortmundin.

Barça ka gjendje 222 milionë eurot e shitjes së Neymar dhe këto pritet t’i riinvestojë për përforcimin e ekipit, megjithatë, një emër i madh i lakuar kohët e fundit duket se është zhdukur nga “radarët” e katalanasve, e ai është Paulo Dybala i Juventusit.

Top Channel