Zjarr në Ardenicë, 2 avionët nga Greqia në Dukat; vatër e re në Librazhd

05/08/2017 00:00

Një zjarr i fuqishëm përfshiu kodrat e fshatrave Vajkan dhe Ardenicë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve. Era e fortë i përhapi shumë shpejt flakët në drejtim të banesave të fshatit.

Banorët dolën nga shtëpitë dhe u kërkuan mjeteve zjarrfikëse të ndërhyjnë për t’i shpëtuar, por në disa zona ishte e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Në këto kushte, banorët tentuan të përballen edhe vetë me flakët.

Rrezik i madh për banorët ishte dhe përfshirja nga flakët e ish-repartit ushtarak të Vajkanit, në të cilin gjendeshin me dhjetëra fishekë që nisën të plasnin.

Flakët u përhapën rreth orës 14 dhe sipas tyre janë shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike në linjën e tensionit të ulët që kalon në masivin me pisha pranë fshatit Ardenicë.

Ndërsa në Rrajcë, Bashkia e Prrenjasit dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura të Elbasanit ia ka dalë që pas tre ditësh të vërë zjarrin nën kontroll.

Kurse Bashkia e Librazhdit po normalizon situatën në fshatin Kostenjë në kufi me Dibrën, i cili ka përfshirë kullota e pyje. Ndërsa në Dardhë zjarri vazhdon ende.

Një vatër tjetër e rrezikshme është ajo e shfaqur në fshatin Skëndërbe, në kufi me Maqedoninë. Të gjithë punonjësit tashmë duket se do të zhvendosen në këtë zonë për të nisur një tjetër betejë.

Kurse në malin e Shushicës në Elbasan situata duket e normalizuar. Në Dukat u desh ndërhyrja e avionëve që erdhën nga Greqia për të vënë nën kontroll situatën, ndërsa era i rikthen herë pas here vatrat e zjarrit.

Top Channel