Monumenti në dru në rrezik, i gdhendur në rrapin 500-vjeçar

05/08/2017 00:00

Monumenti 3 metra i lartë i Idriz Sulit i vendosur në qendër të fshatit Zhulat ka filluar të kalbet. Vepra e realizuar pak vite më parë prej Murat Kerajt njihet si skulptura e vetme masive në dru e krijuar në Shqipëri.

E gdhendur mbi trungun e tharë të rrapit 500-vjeçar të Zhulatit banorët e zonës thonë se skulptura e ktheu tragjedinë në vlerë dhe i dhuroi Labërisë një vepër me vlera të thella shpirtërore.

Kreu i fshatit Zhulat thotë se banorët kërkojnë ndihmë për ta shpëtuar Idriz Sulit dhe bashkë me të edhe memorien e rrapit të Zhulatit.

“Busti po na zhduket. Një sëmundje e ka zënë nga krahu i poshtëm dhe e shikojmë të nevojshme që të bëhet një ndërhyrje nga specialistët për të zgjatur jetëgjatësinë e tij”, shprehet kryeplaku i fshatit.

I vlerësuar prej kritikës së artit si një vepër që mbart aspekte të harruara të artit modern monumenti në dru i Idriz Sullit, i cili është duke degraduar prej mungesës së konservimit.

“Nuk ka asnjë mundësi të qëndrojë në këmbë me këtë gjendje që ka arritur. Kjo ka 3 procese, prerjen, lyerjen dhe mbulimin që të shpëtojë dhe mund të shkojë deri në 50 vjet. Rrapin e kalbin rrënjët. Kjo tani do shkëputjen, mbulim edhe lyerjen”, thotë Murat Këraj.

Monumenti ka nevojë të shkëputet nga rrënjët për të evituar kalbjen e mëtejshme ndërsa kërkon edhe ndërhyrje të tjera konservuese në pjesën Jugore.

Top Channel