Legjenda kthehet në shtëpi

05/08/2017 00:00

Legjenda e Rozafës ka frymëzuar breza të ndryshëm artistësh nga Shkodra, të cilët kanë bërë bashkë punimet e tyre në një ekspozitë.

Historinë e kësaj legjende, por edhe vlerat e artistëve shqiptarë i njohu edhe Strazburgu, Parisi e Holanda, ku edhe u prezantua ekspozita, e cila tani kthehet në Tiranë në galerinë “Kalo”, me titullin “Legend is back home”.

“Është një ide shumë e bukur, sidomos sot që lëvizjet janë aq të lira, një pjesë e madhe e publikut tonë është prezent edhe në Europë. Është një pasaportë e bukur për të treguar për artin shqiptar dhe këtu ndoshta pak më ndryshe, pak më lokaliste sepse janë të gjithë artistët shkodranë. Janë një sërë brezash: si ai ku bëjnë pjesë profesorë si Edi Hila, por edhe brezat e rinj si Eros Dibra e Andi Hila, të cilët prezantohen me gjuhën e tyre artistike”, tregon piktorja Merita Selimi.

Si një shkodrane 24-karatëshe, Merita Selimi e shfaq origjinën në çdo punë të saj.

“Në të vërtetë, Shkodra ka një teksturë tjetër. Të gjitha qytetet kanë veçoritë e tyre, por është një harmoni tjetër ngjyre, sharmi e dashurie, të cilën asnjëherë nuk e harron. Nuk e harron atë pjesë të fëmijërisë që e kalon dhe rikthehesh ta shohësh. Është një ‘come back home’. Në veprën time unë gjithmonë e kam Shkodrën prezente. Pjesën më të madhe e kam në kujtimet e fëmijërisë, të cilat i ruaj si një imazh të pastër e shumë të bukur, të cili çdo fëmijë kur rritet e mban. Është një pasuri kulturore”, thotë Selimi.

“Legjenda e Rozafës”, shprehur në telajo do të qëndrojë e hapur deri më datën 24 gusht.

Top Channel