PSG korr frytet e investimit “Neymar”. 10 mln euro në 4 orë

04/08/2017 00:00

Vetëm nga blerja e brazilianit Neymar, vlera e Paris St. Germain në treg është shtuar me 500 milionë euro, duke shkuar në 1.5 miliardë. Sipas presidentit të skuadrës transalpine, do të vijnë shpejt frytet e investimit të çmendur për futbollistin brazilian, e entuziazmi i tifozëve po i jep të drejtë.

Mijëra njerëz e pritën Neymarin në daljen nga hoteli parizien dhe në prezantimin zyrtar në klubin e “Parc des Princes”, por jo vetëm kaq. Në 4 orë, Paris SG ka fituar plot 10 milionë euro nga shitja e fanellave me numrin 10 mbi supe, atë që do të mbajë blerja e re e ardhur nga Barcelona këtë verë. 10 milionë euro në 4 orë janë një ritëm i jashtëzakonshëm që ndan fitimin mes klubit, sponsorit teknik dhe dyqaneve, por është e destinuar të rritet me kalimin e ditëve.

Me këtë e shumë operacione të tjera financiare, sheiku al-Khelaifi synon të “driblojë” rregullin e “Fair Play”-t financiar, për të cilin UEFA ngulmon se do të hetojë. Në selinë e qeverisë botërore të futbollit do të dorëzohet dhe dokumenti i PSG-së për Neymarin, për të garantuar transparencë.

Ndërkohë, Barcelona ka bërë të ditur se nuk do të paguajë 26 milionë euro komisione në favor të babait të futbollistit brazilian, për rinovimin e firmosur vitin e kaluar. Arratia e Neymarit është në shkelje të akordeve dhe bonuset do të ishin të vlefshme që nga e hëna, por katalanasit shpejtuan duke evituar pagesën e ndërmjetësimit.

Top Channel