Panairi i librit në Durrës

04/08/2017 00:00

Në një nga sheshet më të frekuentuara bregdetare në Durrës është çelur mbrëmjen e se enjtes edicioni i dytë i panairit të librit shqip “Durrës Script”.

Çdo mbrëmje, nga ora 18:00 e deri në mesnatë dashamirësit e shumtë të librit në qytetin bregdetar do të njihen me botime të ndryshme për të gjitha moshat dhe kategoritë e lexuesve.

Rreth 50 shtëpi botuese nga vendi, Kosova, Mali i Zi, Greqia, Italia e Maqedonia, që botojnë në Gjuhën Shqipe, janë ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të librit që po zhvillohet buzë detit, në sheshin e “Sfinksit”.

Synimi i organizatorëve është ta kthejnë panairin në një ngjarje kulturore, që lidh ngushtësisht librin me turizmin, si dhe të nxisë leximin veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.

Gjatë këtyre ditëve, disa shtëpi botuese do të ofrojnë tituj të rinj që paraqiten për herë të parë për lexuesit, si dhe do të zhvillohen disa biseda të hapura me autorë të njohur. Panairi i librit mbyllet me 6 gusht.

Top Channel