Netët e muzikës klasike në Durrës

04/08/2017 00:00

Bienalja “Netët e muzikës klasike” solli në Durrës koncertin e përshtatur për kuartet “Shtatë fjalët e fundit të Krishtit në kryq” të kompozitorit austriak Jozef Heiden.

Eventi, që violinisti i mirënjohur Florian Vlashi sjell në çdo sezon veror, u mbajt në ambjentet e kishës katolike të saporikonstruktuar, “Shën Luçia” dhe u karakterizua nga interpretimi i teksteve të Nënë Terezës, të lexuara nga studiuesi Përparim Kabo.

“Në këtë vit, filli që përshkon Bienalen përbëhet nga muzika, artisti dhe pushteti. Në këtë fill, muzika është shpresë, një pretekst i bukur për jetën dhe muzika e Heiden shkrihet bukur me fjalën e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza, së cilës i kushtohet kjo natë”, shprehet Vlashi.

Violinisti Vlashi, që jeton në Spanjë, thotë se Bienalja do të ketë edhe shfaqje premirë, në nder të atyre që u persekutuan dhe u harruan gjatë sistemit komunist.

Edhe në këtë edicion të tetë, Bienalja me instrumentistë të huaj e vendas vjen si një festë e muzikës, e shoqëruar me fuqinë e fjalës, mendimit, duke përcjellë mesazhe dhe promovuar vlerat e muzikës klasike të huaj e shqiptare tek brezat.

Top Channel