Media gjermane: Vuçiç thotë të pathënën për Kosovën

04/08/2017 00:00

Opinioni i presidentit serb Aleksander Vuçiç për Kosovën, i publikuar nga gazeta Blic disa ditë më parë, ka nxitur debate jo vetëm në Serbi, por edhe në botë.

DW raporton se e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i ka dedikuar një artikull çështjes, duke thënë se Vuçiç shkeli hijen e rëndë të historisë serbe.

Sipas saj ajo që shkruan numri 1 i Beogradit është si të thotë Erdogani, se pranon që ka pasur gjenocid osman ndaj armenëve.

Vuçiç thotë të pathënën për Kosovën, pohon gazeta gjermane, duke ju referuar deklaratës se presidentit serb për bashkëkombasit, se Kosova është e humbur për Serbinë, pa futur këtu veriun me shumicë serbe. Ky qëndrim është i përhapur mes shumë serbëve, vijon media, por liderë të tjerë nuk kanë guxuar deri më tani të përmendin me emër gjërat, nga frika e pakicës intelektuale nacionalistë, peshkopëve ortodoksë dhe demagogëve të tjerë.

Frankfurter Algemaine Xajtung vëren se nëse ka një politikan, i cili mund të kapërcejë këtë frikë është pikërisht Vuçiç.

“Për momentin provokimet e Vuçiç ndaj shpirtit serb janë vetëm fjalë, por fjalë që deri më tani nuk janë dëgjuar kështu në Beograd”, përfundon e përditshmja gjermane artikullin e saj.

Top Channel