
Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi pezullon procedurat e miratimit të dorëheqjeve të drejtorëve të Hipotekës, duke thënë se ata që kanë shkelur ligjin duhet të kenë masën “shkarkim nga detyra”.
Ai ka urdhëruar që nën mbikqyrjen e inspektorëve të ministrisë së Drejtësisë, të ushtrojnë kontroll dhe inspektim të punës në 6 muajt e fundit në Hipotekë. Afati i ushtrimit të kontrollit është 10 ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit
Ministri Bardhi është njohur sot me kërkesën për dorëheqje të Regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, Vlorës, Kukës, Dibër, Elbasan, Tropojë, Has, Mat, Kuçovë, Bulqizë, Lezhë, Kurbin, etj.Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit, Ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë.
“Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente. Kjo do të pamundësonte, që në rrethana të caktuara, apo për qëllime politike të momentit, këta funksionarë të riktheheshin në funksione publike në administratë shtetërore dhe të bëheshin premisë për cenimin e interesit të qytetarëve përsëri në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.
Top Channel