Demiraj: Zjarret, rrezik për sigurinë kombëtare. Avionë nga Greqia e Italia

03/08/2017 00:00

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se zjarrvëniet e qëllimshme po rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Duke iu referuar rasteve të zjarreve të ditëve të fundit thuajse në çdo cep të vendit, të favorizuara edhe nga temperaturat e larta, Demiraj ka paralajmëruar se zjarrvënësit do të kapen dhe do të dënohen me ashpërsi nga ligji.

Nga ana tjetër ai ka inkurajuar forcat zjarrfikëse, Emergjencat Civile dhe pushtetin lokal për përpjekjet që po bëjnë ditën dhe natën për të mbajtur nën kontroll situatën e zjarreve, si dhe për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe banesat e tyre.

Ndërkohë, nisur nga situata e rënduar ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i ka telefonuar për ndihmë homologut grek Nikos Kotzias.

Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë me dije se Bushati ka siguruar mbështetje nga homologu grek dhe dy avionë do nisen nga Korfuzi për të ndihmuar njësitë shqiptare që po luftojnë me flakët.

Gjithashtu, ministri Bushati i ka kërkuar ndihmë edhe homologut italian, Alfano. Një avion do të vijë nga Pulja për të ndihmuar Emergjencat Civile.

Situata më problematike nga zjarret paraqitet në Dukat të Vlorës dhe Krastë të Elbasanit. Në këtë të fundit, për të vënë nën kontroll situatën janë nisur edhe zjarrfikësit nga Lushnja.

Top Channel