Montella: Ndaj Craiova-s vëmendje maksimale, s’i zhgënjejmë tifozët

02/08/2017 00:00

Në prag të sfidës së kthimit ndaj Craiovas, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europa League, trajneri i Milanit, Montella kërkon përgjegjshmëri maksimale nga të gjithë futbollistët dhe të bëjnë kujdes në mënyrën se si ata do ta menaxhojnë lojën, pavarësisht fitores minimale në ndeshjen e parë.

Pas nje periudhe të gjatë në agoni, me një stadium gjysmë të zbrazur,  “San Siro” do të jetë i tejmbushur për këtë përballje falë transferimeve të kryera të cilët mbështetësit kuqezinj mezi presin momentin për t’i parë nga afër dhe sigurisht me dëshirën për të mos u përballur me ndonjë surprizë të pakëndshme.

Për teknikun Montella pjesëmarrja masive e tifozëve në stadium është diçka e bukur dhe i shton skuadrës akoma edhe më shumë peshën e të zhvilluarit një ndeshje perfekte.

“Pres përmirësime në pjesën e mbajtjes së topit, përgjatë 90 minutave. Një gjë të tillë arritëm ta realizonin edhe në ndeshjen e parë,por jo në një  nivel të kënaqshëm. “San Siro” plotë? Është një emocion i veçantë dhe një përgjegjësi e madhe për ne. Tifozët po na tregojnë mbështetjen e tyre dhe ky fakt meriton shpërblim nga ana jonë. Nuk do t’i zhgënjejmë.”

Më tej Montella bëri dhe disa komente në lidhje me portierin Gianluiggi Donnarumma, çështjen se cili prej futbollistëve do të mbajë shiritin e kapitenit dhe për mundësinë e aktivizimit të Andre Silva.

“Donnarumma ka kaluar një verë me intensitet të lartë, por e shoh disi më të maturuar. Shpresoj që tifozët ndaj tij të kenë të njëjtën sjellje si ajo e sezonit të kaluar, sepse e meriton një gjë të tillë. Për sa i përket cështjes së shiritit të kapitenit ndaj Craiovas do të jetë Zapata ai që do ta mbajë, ndërsa një vendim përfundimtarë ende nuk e kam marrë. Në mendjen time Andre Silva do të jetë titullarë. Ka arritur të përshtatet shumë mirë me pjesën tjetër të grupit”.

Top Channel