Ndërhyrja në ish-Kinostudio, hapësirë për artistët

01/08/2017 00:00

Oborri rreth Ministrisë së Kulturës së bashku me asetet natyrore: kopshtin me ullinj, koleksionin e vjetër të ish-Kinostudios me makinat e përdorura si rekuizite, do të kthehen në një park arti.

Projekti i Ministrisë së Kulturës, që realizohet në bashkëpunim me Regione Puglia, synon krijimin e një hapësire ekspozimi të përkohshme e të përhershme për veprat e artistëve.

“Një vit e gjysmë më parë Ministria e Kulturës kishte mendimin që këtë hapësirë mos ta linte bosh, por t’i jepte një karakter funksional dhe estetik me konceptin e një parku arti, se si ky park mund të kthehej nga një hapësirë thjesht e gjelbër, në një hapësirë funksionale dhe estetike për të kryer aktivitete të ndryshme kulturore , për të qenë një vend takimesh estetike, por edhe njëlloj ekspozite e hapur, një skenë arti e hapur dhe një mjedis i shtuar në kryeqytet”, u shpreh Mirela kumbaro, Ministre Kulture.

“Parku i Artit” do t’i dedikohet Antonio Gramshit ndaj edhe e merr spunton në një prej poezive të tij, kur teksa vuante dënimin në qeli, gjente qetësinë tek pemët e larta në kopsht.

“Ideja ime është që të bëjmë një vepër dedikuar Antonio Gramshit që të jetë një pikë takimi mes një projekti artistik dhe një projekti natyror, projekt që nis nga rishikimi i ambienteve rreth kopshtit të ministrisë që nuk shihet më thjesht si kopsht. Brenda kësaj hapësire imagjinojmë një skulpturë me kristale e pupla që do të riprodhojë hapësirat e qelisë ku Antonio Gramshi jetoi në vitet 1926-1934. Duket sikur kjo hapësirë fluturon përtej Adriatikut dhe ngulet këtu në Tiranë”, tha Alfredo Pirri, artist.

Nën dritën e filozofisë së Antonio Gramshit do të ekspozohen në “Parkun e Artit”, vepra të realizmit socialist, të cilat janë pjesë e fondit të GKA.

Top Channel