Tepelena po regjistron këtë vit prurjet e para turistike. Megjithëse vizitorët janë kalimtarë dhe kapacitetet pritëse ende janë të pamjaftueshme, interesi për të zbuluar qytezën përmbi Vjosë është në rritje.

Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi pohon se pas ndërhyrjeve për t’i dhënë fizionomi funksionale dhe estetike qendrës së qytetit është vënë re prania e shpeshtë e vizitorëve dhe turistëve, ndërsa janë shfaqur edhe shkëndijat e para të investimeve private në sektorin e turizmit.

Por, sipas tij, kalaja mesjetare e Ali Pashës, që lidhet edhe me interesin kryesor të vizitorëve në qytet ka nevojë të rikonceptohet. Projekti që evidentoi strukturën e jashtme të objektit do të duhet të pasohet nga ndërhyrjet restauruese në brendësi.

Prania e rreth 160 familjeve brenda objektit monument kulture i ka vështirësuar ndër vite ndërhyrjet, por Peçi mendon se shumë shpejt do të bëhet i mundur projekti i restaurimit të rrugëve të brendshme të kalasë si dhe pajisja me sinjalistikë shpjeguese dhe orientuese.

Sipas të dhënave historike në brendësi të këtij territori deri në vitin 1940 ka patur 15 saraje të njëkohshme me kalanë. Kalaja u popullua masivisht pas çlirimit, menjëherë pas vitit 1944, ndërsa fizionomia e banesave ka ndryshuar tërësisht duke mos përcjellë sot asnjë nga elementet tradicionale të sarajeve të dikurshme.

Tepelena ofron një kompleks mundësish sipas kreut të bashkisë, Peçi dhe meriton të zbulohet nga shqiptarët dhe huajt edhe për pasuritë e shumta natyrore e kulturore në rrethinat e saj.

Krahina e Bënçës dhe gjithë Malësia e Kurveleshit po rezultojnë mes zbulimeve më atraktive për turistët e aventurës. E gjithë gjatësia e kanioneve dhe krahina malore sipër tyre po frekuentohet këtë verë për ecjet në natyrë, ngjitjet, rally e kajak.

Top Channel