Arkiva e pasurisë kulturore, prezantohet sistemi online

31/07/2017 00:00

Në Ministrinë e Kulturës u prezantua këtë të hënë faza e parë e projektit “Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Regjistrimin Online të Pasurive Kulturore Kombëtare”.

Një projekt ky, sipas të cilit administrimi i pasurive kulturore kombëtare brenda e jashtë Shqipërisë do të bëhet në mënyrë digjitale.

“Është sistemi informativ kombëtar i administrimit të pasurive kulturore që shumë mirë ndërvepron përmes bazës së të dhënave shtetërore që është në fazën e liçencimit pranë Agjencisë Kombëtare të Shërbimit Informativ. Kjo platformë bën të mundur jo vetëm shërbimin përmes institucioneve që administrojnë të gjitha fondet e trashëgimisë kulturore në pronësi publike e private, por bën të mundur krijimin dhe përditësimin e regjistrit kombëtar të pasurive kulturore”, deklaroi Silva Breshani, drejtoreshë e Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjeti rastin të theksonte rëndësinë që i ka dhënë në këto 4 vite në krye të ministrisë trashëgimisë kulturore, si burim i rëndësishëm ekonomie në funksion të turizmit.

“Nëse do ta shprehja me një fjali cili është ndryshimi më i madh që ka ndodhur në sistemin e trashëgimisë kulturore në këto 4 vite, do të thosha se është kalimi nga faza e emergjencës në të cilën e morëm në vitin 2013, ku për 2 vite rresht ndërhymë me reforma të thella dhe me operacione shpëtimi; në një fazë të zhvillimit ekonomik të trashëgimisë kulturore, si motor zhvillimi e burim ekonomie në shërbim të turizmit”, tha Kumbaro.

Rregjistrimi online i pasurive kulturore kombëtare do të kryhet përmes 6 qendrave të informimit publik në Durrës, Berat, Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër.

Top Channel