Rikonstruksioni i Amfiteatrit te Parku i Liqenit

30/07/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e Amfiteatrit te kodrat e Parkut të Liqenit, për ta shndërruar atë në një arenë natyrore për artistët. Madje kjo, sipas bashkisë ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e artistëve, ndër ta edhe e sopranos me famë botërore Inva Mula.

“Është një projekt që e kam shumë për zemër dhe jam shumë e lumtur. Që në momentin që erdha për të krijuar një spektakël këtu, e pamë që nga ana teknike nuk shkonte. Falë Erionit, falë Blendit, kjo gjë po konkretizohet menjëherë, saqë më duket si e pabesueshme që mund të ndodhin këto gjëra në mbështetje të kulturës. Meqë parku është bërë një mushkëri shumë e mirë, ku njerëzit kanë mundësi të ecin dhe të jenë në ajër të pastër, mendoj që do të jetë një aortë shumë e rëndësishme e kulturës së Tiranës”, tha Inva Mula.

“Siç thonë, një histori e mirë sjell një histori tjetër të mirë. Propozimi i Invës për të bërë një shfaqje këtu solli një avancim të idesë për ta transformuar Amfiteatrin e Liqenit. Sot është një hapësirë e degraduar, ndonjëherë ngjan me disa rrënoja antike, por që në fakt nuk ka moshë aq të madhe sa të hyjë në Antikitet. Por, sigurisht, ndonjëherë mungesa e kulturës, aktet e vandalizmit, mungesa e kujdesit për pronën e përbashkët kanë sjellë këtë degradim. Sot jemi në një situatë tjetër, ku jo vetëm kemi vendosur që të marrim përsipër këtë financim, por do ta përfundojmë në kohë rekord”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Rikonstruksioni i Amfiteatrit do t’u japë mundësi të gjithëve që të mund të shijojnë art në natyrë.

“Nuk mund të vazhdojmë të kemi vetëm politika kulturore elitare të paqasshme nga një publik, i cili ndoshta nuk e ka traditë vajtjen në opera, në balet dhe në teatër, por kur vjen nga liqeni fiton një opera, balet, teatër në natyrë. Kështu demokratizojmë pak politikën tonë të artit, që mund të bëhet e qasshme nga shumë më shumë njerëz, që në të kundërt nuk do t’i çonin këmbët kurrë në një nga institucionet tradicionale kulturore. Ndaj shkon me filozofinë e APR-së, sipas së cilës nuk është gjithmonë njeriu që shkon tek arti e te kultura, por ndonjëherë është arti dhe kultura që shkojnë aty ku janë njerëzit”, tha më tej Erion Veliaj.

Me përfundimin e këtij projekti, qytetarët që vizitojnë Parkun e Liqenit do të kenë një tjetër alternativë për të kaluar orët e tyre të lira dhe për t’u argëtuar. Brenda këtij viti përfundon rikonstruksioni i Shkollës së Baletit, e cila do t’i shërbejë gjithashtu përgatitjes së artistëve të rinj.

Top Channel