Ekspozita e artit të zyrave

28/07/2017 00:00

54 vepra arti në pikturë e skulpturë, pjesë e fondit të artë të GKA, i prezantohen të restauruara për herë të parë publikut.

Veprat, krijime të vitit 1981 deri në vitin 2005, ishin të shpërndara në rreth 20 institucione shtetërore, si pjesë e arredimit të zyrave dhe holleve që para viteve ‘90. Pas një pune 2-vjeçare restaurimi, i prezantohen publikut në një ekspozitë.

“Kryesisht janë në zhanrin e pikturës, por ka edhe vepra në skulpturë, në dru, në skulpturë mermeri apo bronxi. Janë artistë të njohur të historisë së artit si mjeshtri Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kel Kodheli, Sali Shijaku, etj. Ka autorë të rëndësishëm dhe vepra të rëndësishme që vijnë për herë të parë”, thotë Artan Shabani, drejtor i GKA.

Shabani shprehet i keqardhur që ky koleksion nuk është i plotë, pasi një pjesë e veprave nuk i janë kthyer GKA. Ato janë marrë nga isntitucione që janë shpërbërë ndër vite, ndërsa edhe gjendja e veprave të prezantuara nuk ishte optimale kur ato iu kthyen galerisë.

“Gjendja e këtyre veprave sigurisht nuk ishte një gjendje muzeale, pasi institucionet kanë qenë të detyruara që një pjesë e veprave të jenë nëpër magazina. Sigurisht që nuk janë magazina arti dhe veprat e kanë ndierë nevojën për t’u restauruar. Ne i kthyem në gjendje muzeale”, thotë Shabani.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun, i cili mund ta vizitojë kundrejt asnjë pagese, deri në fundin e muajit gusht.

Top Channel