“Dita zë fill”…në Sarajevë

28/07/2017 00:00

“Dita zë fill”, filmi artistik me metrazh të gjatë i Gentian Koçit do të ketë premierën botërore në “Sarajevo Film Festival” në garën kryesore. I njohur si një nga më të rëndësishmit në Europë, ky festival e çel siparin më 11 gusht.

Ky është projekti i parë si film artistik me metrazh të gjatë i Koçit.

“Ka qenë një punë shumë e madhe katërvjeçare dhe sigurisht që nuk e prisnim. U gëzuam shumë kur morëm vesh lajmin, por ne kishim kohë që kishim filluar luftën, së bashku me kompaninë time të shitjes ËIDE, që e ka selinë në Francë. Kishim filluar negociatat me festivalet në lidhje me premirën botërore të filmit. Por, me thënë të drejtën, Sarajeva ishte pak surprizë për mua, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse ka kompeticion shumë të vështirë”, tregon regjisori Gentian Koçi.

Filmi është xhiruar brenda një dhome apartamenti dhe sillet rreth dy personazheve kryesore, me diferencë të konsiderueshme moshe, por dueli i tyre është më interesanti.

“Është lufta e një nënë të re që lufton me thonj për të mbajtur një vend pune. Linjat kryesore janë midis dy personazheve, një nëne të re dhe një grua të moshuar. Një nëne të re që luhet nga Ornela Kapedani, mjeshtërisht do të thoja dhe roli i Sofisë luhet nga Suzana Prifti, një rol fantastik i Suzanës”, thotë më tej ai.

Takimin me publikun e këtushëm në ekranin e madh, “Dita zë fill” do ta ketë në shtator.

“Ajo që unë pres me shumë emocion është vlerësimi i publikut dhe për këtë do kisha shumë dëshirë që kur filmi të vinte në kinematë shqiptare, të krijohej një dialog komunikimi me publikun shqiptar”, shprehet Koçi.

Por, lajmet duket se përtej Sarajevës për rrugëtimin e filmit janë edhe më pozitive.

“Ne kemi një konfirmim dhe nga një festival shumë i rëndësishëm, por që nuk mund ta bëjmë publike për momentin, sepse edhe vetë festivali nuk e ka bërë. Pas Sarajevës do kemi një rrugëtim të mirë, ose shumë të mirë nëpër festivale ndërkombëtare”, shprehet regjisori Gentian Koçi.

Top Channel