Uji “trazon” PD e LSI, akuza reciproke për votimin në Këshillin Bashkiak

27/07/2017 00:00

Dy këshilltarët e LSI që votuan për çmimin e ujit janë përjashtuar nga radhët e kësaj partie. Genta Mezini dhe Agim Kraja janë të përjashtuarit dhe ky vendim u mor pasi sipas LSI, ata kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin e kësaj force politike.

Përjashtimit të tyre i parapriu një debat mes nënkryetarit Luan Rama dhe këshilltarit Kraja. Ndërsa Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi shkëmbyen akuza në distancë. Basha akuzoi PDIU dhe LSI-në se iu bashkuan interesave klienteliste të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës.

“Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja”, deklaroi Basha.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i kryetares së LSI-së, e cila i kujtoi Bashës paaftësinë e tij për të menaxhuar furnizimin me ujë të Tiranës gjatë kohës kur ishte krytar bashkie. Ajo ka akuzar dhe këshilltarët e PD që qëndruan në sallë për të votuar emrat e tyre në listat e personave që përfitonin kredi të buta.

“Ky është një fakt që nuk mund të fshihet, madje as të manipulojë blerjen që iu bë dy këshilltarëve të LSI, prej të cilëve ne u distancuam. Sepse qëndrimi i LSI nuk mund të blihet me asnjë çmim. Sa për qëndrimin opozitar, zoti Basha harron shumë shpejt që ai dhe kryeministri ishin për javë të tëra xhelatët ndaj LSI”, shkroi Kryemadhi në reagimin e saj.

Zërave kundër LSI i është bashkuar dhe këshilltari demokrat Akil Kraja, i cili ka sulmuar këtë forcë politike.

“Ne mund të bllokonim Erion Veliajn, por pazari 240 milionë eurosh rezultoi të ishte më i fortë. Të mërkurën, në orën 18:00, pavarësisht thirrjes sonë, LSI luajti me dy porta. Veliajt iu dha vota, popullit iu dha fatura”, thuhej në reagimin e këshilltarit demokrat.

Top Channel