Turizëm në Gjinar, destinacioni i freskët i Elbasanit

27/07/2017 00:00

Zona e Gjinarit në Elbasan është kthyer në një prej destinacioneve të preferuara në këto ditë të nxehta. Jo vetëm prej temperaturave që shkojnë deri në 5 gradë më poshtë se në zona të tjera, por edhe për qetësinë që të dhuron kjo zonë malore.

“Unë kam ardhur nga Athina, ndërsa motra nga Tirana dhe këtu kemi 3 javë. Në Gjinar do të qëndrojmë një muaj ose një muaj e gjysmë. Këtu vijmë çdo vit. Këtu na pëlqen klima, mikpritja dhe njerëzit”, shprehet një turiste.

Zona e Gjinarit, e pasur me masive pishash është e njohur për ajrin e pastër. Shtëpite pritëse janë përshtatur për turistët që nuk janë vetëm vendas, por edhe të huaj. Problemi i vetëm është infrastruktura.

“Kam zgjedhur Gjinarin për shkak të klimës, pasi është klimë ideale për ne që merremi me sport, peshëngritje, për shkak të oksigjenit. Unë kam një muaj që stërvitem këtu, do vazhdoj të qëndrojë edhe dy muaj”, shprehet peshëngritësi Briken Çalja.

Jo vetëm bregdet, turizmi malor dita ditës po njeh më tepër zhvillim. Të shumtë janë ata që zgjedhin të pushojnë në qetësinë, temperaturat e ulëta dhe ajrin e pastër që ofron zona turistike e Gjinarit në Elbasan.

Top Channel