Parku i skulpturave në Korçë

27/07/2017 00:00

Pesë pavilione të reja të shtuara në “Parkun Rinia” të qytetit të Korçës, duke u kthyer në një atraksion të veçantë.

Elementët dekorativë të vendosur në krah të Ekspozitorit të Skulpturës këtë vit kanë sjellë një koncept të ri. Ndryshe nga vitet e tjera, kur Simpoziumi i Skulpturës ka sjellë punime në mermer dhe gur, duke krijuar një muze të artit modern në natyrë, pavilionet janë objekte funksionale ku qytetarët e Korçës apo turistët mund të argëtohen apo çlodhen.

“Këto pavilione janë vendosur në ambjentet e parkut dhe ideja është që të jenë edhe funksionale, pra të harmonizohen me ambjentet e parkut dhe t’u shërbejnë edhe banorëve e vizitorëve, vendas apo të huaj”, ka deklaruar kryebashkiaku Sotiraq Filo.

Në verë, kur qyteti i Korçës regjistron edhe shifrat më të larta të turistëve, këta të fundit duket se i shohin këta elementë të rinj si një kënaqësi më vete.

“Është diçka shumë pozitive dhe e këndshme, në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë nuk e kam parë. Më pëlqen, është atraktive”, thotë vizitorja Ana Sakuta.

Simpoziumi i Arkitekturës dhe Skulpturës në parkun e qytetit të Korçës, i cili sjell artistë nga e gjithë bota, është kthyer tashmë në një traditë.

Në edicionet në vazhdim kjo formë e artit gjithpërfshirës do të zëvendësohet me punime të reja, por pa ndryshuar idenë e organizatorëve që përveçse diçka dekorative objektet të jenë edhe funksionale.

Top Channel