Presidenti i Sllovakisë uron Ilir Metën

26/07/2017 00:00

Presidenti i Republikës së Sllovakisë, Andrej Kiska uroi Presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën me rastin e marrjes së detyrës.

Në telegramin e urimit, Presidenti i Sllovakisë shprehet se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të vijojnë të jenë të forta dhe se Sllovakia do të vazhdojë mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Sllovakisë si dhe personalisht dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia të sinqerta me rastin e marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ndihem i lumtur që marrëdhëniet mes vendeve tona janë të mira dhe miqësore. Besoj se ne do të vazhdojmë t’ia dalim mbanë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre nën frymën e miqësisë, mirëkuptimit dhe në të mirë e në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Jam i kënaqur që Shqipëria përparon në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Dëshiroj t’ju siguroj se Sllovakia do të vazhdojë ta mbështesë vendin Tuaj në këtë rrugë!”, ka theksuar Presidenti i Sllovakisë, Andrej Kiska.

Top Channel