Çmimi i ujit, LSI vendos kushte. PD: Jo, këtij projekti mafioz

26/07/2017 00:00

Debati për rritjen e çmimit të ujit vijon të jetë diskutimi kryesor. Në një dalje për mediat, Lëvizja Socialiste për Integrim me anë të këshilltares së saj në Bashkinë e Tiranës, Eriona Bixha bëri të ditura propozimet e kësaj force politike. Në të kundërt, paralajmëroi ajo, LSI nuk do të jetë pjesë e vendimmarrjes.

“Të merren masa urgjente për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe furnizimin preferencial që u bëhet disa bizneseve për të luftuar në këtë mënyrë informalitetin, i cili do të sjellë të ardhura më të larta. Të përjashtohen nga vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm të gjitha familjet të cilat janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike si dhe familjet e pensionistëve. Të vendosen çmime të diferencuara për bizneset në bazë të aktivitetit që ato ushtrojnë me qëllim që konsumatorët më të mëdhenj të ujit të pijshëm si fabrikat e birrave, të pijeve freskuese, apo alkoolike, fabrikat e mishit, të qumshtit, të mermerit, apo hotelet dhe komplekset e ngjashme me to, të mos kenë të njëjtat tarifa me baret, kafenetë, apo zyrat e shërbimit të cilat kanë më pak se 5 punonjës”, deklaroi Bixha.

Nga ana tjetër, kreu i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli ftoi LSI dhe të gjitha forcat e tjera politike që të bojkotojnë këtë mbledhje, në mënyrë që të pamundësohet kuorumi.

“Përfitoj nga ky moment për t’i bërë një apel publik jo vetëm kolegëve të LSI-së, por edhe kolegëve të PS-së dhe forcave të tjera politike në Këshillin Bashkiak që të mos bëhen pjesë e votimit të këtij akti mafioz. Do të ishte në dobi dhe vetëm në interes të publikut dhe qytetarëve dhe aspak ndonjë përfitim politik i momentit. Ndaj edhe njëherë përsërisim apelin për kolegët e të gjitha forcave për të bojkotuar votimin e këtyre akteve, sepse është forma dhe mënyra më e mirë për të ndalur këtë të keqe që po u kanosët qytetarëve të Tiranës”, tha Olli.

Top Channel