Dhjetë vende, dhjetë këngëtare, një qytet. Me fuqinë e muzikës 10 artistë janë bashkuar në një lëvizje promovuese të qytetit të Tiranës, ku këngët e tyre kanë vendosur që t’i shoqërojnë me videoklipe në pika të ndryshme të kryeqytetit për të promovuar sa më shumë Tiranën.

“’Tirana Sessions’ është një projekt i ri që kemi mbështetur si Bashki e Tiranës, është promovimi i qytetit të Tiranës nëpërmjet këngës dhe artit. Janë bashkuar disa artiste shqiptarë si Marsela Çibukaj, Kamela Islamaj, Bojken Lako dhe këngëtarë të tjerë, të cilët po promovojnë pika të ndryshme të Tiranës nëpërmjet videoklipeve të tyre”, thotë Julinda Dhame, drejtore e Promovimit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës.

“Alban Limani ka performuar në tarracën e qytetit. Gjithë pjesa e videoklipit është shumë interesante, sepse tregon Tiranën nga lart, e tregon nga tarraca, tregon çfarë ndodhet rreth e rrotull Bashkisë së Tiranës, ndërkohë Eneda Tarifa ka kënduar në Pazarin e Ri. Kemi menduar të promovojmë veç e veç çdo këngëtar dhe çdo pjesë të qytetit”, shton Dhame.

Materialet e 10 artistëve të parë të projektit do t’u ofrohen turistëve në formën e CD-ve, ndërsa projekti do të vijojë edhe vitin tjetër me 10 artistë të tjerë shqiptarë, të cilët duan të promovojnë qytetin përmes muzikës së tyre.

Top Channel