
Kryetari i këshilltarëve të djathtë të Bashkisë së Tiranës, Leonard Olli ka denoncuar në një deklaratë për mediat thirrjen jashtë normave të mbledhjes së këshillit, një praktikë e ndjekur sipas tij nga kryetari Veliaj për të kaluar në heshtje projekte të dyshimta.
“Nesër është vendosur mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku si zakonisht u njoftua në mesnatë, një praktikë e njohur kjo, e mungesës së transparencës nga zoti Veliaj dhe ashtu si në çdo rast, grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike ka zhvilluar takimin konsultativ për qëndrimet politike dhe teknike, në raport me projekt-aktet që do të na paraqiten, ku tërheqin vëmendjen dy çështje madhore”, ka deklaruar Olli, duke iu referuar rritjes së tarifës së ujit të pijshëm dhe fondi për ndërtimin e shkollave përmes skemës PPP.
Rritjen e tarifës së ujit Olli e ka cilësuar një “akt abuziv të pastër”, që synon sipas tij vjedhjen e qytetarëve, ndërsa kalimin e fondit prej 60 milionë eurosh për shkollat përmes Partneritetit Publik-Privat një “mega-aferë korruptive”.
“Rritja e tarifës së ujit të pijshëm është një element që prek të gjithë qytetarët e Tiranës. Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave në Ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë”, ka thënë Olli.
Ai e ka cilësuar këtë një “veprim të pajustifikuar” që tenton vetëm të rrisë buxhetet të cilat nuk do të përdoren. “Ashtu sikurse u mashtruan edhe me çështjen e biletës dhe u premtua një shërbim më cilësor dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që nuk ka ndryshuar asgjë, e njëjta situatë dramatike do të pasojë edhe më ujin e pijshëm, por vetëm me një ndryshim të madh, që do të kemi një tarifë me rritje mbi 35% e çmimit të metrit kub”, ka vijuar Olli.
Ai u ka bërë apel këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe të forcave të tjera politike që të reflektojnë në dobi dhe në interes të qytetarit dhe jo në interesat e “kryemafiozit Veliaj”.
Top Channel