Meta hyn në Presidencë: Besnik i dialogut dhe konsensusit

24/07/2017 00:00

Në kohën kur Ilir Meta betohej në Parlament, në Presidencë Protokolli i Shtetit ishte duke bërë përgatitjet e fundit për të pritur presidentin e ri.

Në 18:45 nisën të mbërrinin të ftuarit e parë. Më të përpiktët ishin ambasadorët e huaj të akredituar në Shqipëri, të cilët u vendosën në krahun e djathtë të podiumit ku do të fliste kryetari i ri i shtetit.

Më pas nisën të mbërrijnë edhe të ftuarit e tjerë. Ministra, ish-presidentë, Bamir Topi dhe Alfred Moisiu, e i fundit që mbërriti ishte kryeministri Edi Rama. Ky i fundit nuk kurseu shkëmbimin e batutave me ish-kryeministrin Sali Berisha. Në krahun e politikanëve u vendos dhe Monika Kryemadhi, së bashku me fëmijët.

Në 19:15, Bujar Nishani priti në zyrën e tij Ilir Metën. Dhjetë minuta më pas, Nishani dhe Meta dolën përpara të ftuarve. Ishte kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili i dorëzoi në mënyrë simbolike presidentit Meta Kushtetutën e Shqipërisë. Më pas, presidenti i sapozgjedhur iu drejtua të pranishmëve.

“Unë sapo u betova përpara ligjvënësve shqiptarë duke u angazhuar solemnisht se të gjitha aftësitë e mia do të jenë për promovimin e vlerave më të larta të bashkjetesës dhe tolerancës, por dhe ndryshimit si e vetmja filozofi për të ecur përpara. dua të riafirmoj se jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit politik. demokracia është jetike për një vend si i yni, ku rëndon e kaluara 50-vjeçare, kur të drejtat dhe liritë u shtypën”, tha Meta.

Në përfundim të fjalës, kryetari i ri i shtetit përcolli parardhësin. Pas këtij momenti, Ilir Metës iu bashkuan tre fëmijët e tij për foton e parë zyrtare familjare.

Edhe në këtë rast, Monika Kryemadhi nuk u afrua. Në orën 20:00, ceremonia përfundoi dhe momenti i takimeve formale. Por si Basha ashtu dhe Berisha u larguan pa takuar presidentin e sapozgjedhur.

Top Channel