Shifrat astronomike në futboll, Man. City bastis merkaton

23/07/2017 00:00

Manchester City vazhdon të rishkruajë historinë e merkatos së futbollit nga dita në ditë, duke e bërë këtë me shifra astronomike dhe duke bastisur ekipet e prekura që kanë objektivat e trajnerit Pep Guardiola. Mbrojtja ka qenë një pikë e dobët e “Sitizens” dhe pikërisht këtu tekniku iberik që drejton pretendentët e Premier League-, kërkon të ketë siguri.

U prezantua zyrtarisht mbrojtësi Danilo që vjen nga Reali i Madridit për 30 milionë euro, ndërsa në ditët e kaluara firmosën portieri brazilian Ederson nga Benfika për 40 milionë, dhe portugezi Bernardo Silva për 50 milionë. Vala e blerjeve nën ndikimin e sheikut Mansur nuk u ndal me kaq, por erdhi te Manchester City edhe Douglas Luiz nga Vasco da Gama, dhe Kyle Walker nga Totenhem, ky i fundit rekord transferimi për një mbrojtës.

I fundit që shtohet në borderonë e çmendur të pagesave të “Sitizens”, është Benjamin Mendy, francez i lindur në 1994 dhe titullar në kombëtaren franceze të drejtuar nga Deschamps. Monaco do të privohet nga talenti për 58 milionë euro, dhe prezantimi do të bëhet në ditët në vijim.

Me laps dhe letër në dorë, ekspertët  tani llogarisin 216 milionë euro shpenzime në merkaton e verës për “Sitin”, përballë vetëm 41 milionë euro të fituara nga shitjet.

Top Channel