Basha “shuan” Patozin: Rezultati, PD e bashkuar

23/07/2017 00:00

Në daljen e parë për mediat pas fitores në garën për kryetar të Partisë Demokratike me 91.3 % të votave kundër Eduard Selamit, Lulzim Basha u shpreh se vota e demokratëve ishte konfirmim për kauzat e ngritura prej tij.

“Vota e 60 mijë demokrateve konfirmoi dje se kauza jone, e zgjedhjeve të lira, e çlirimit të vendit nga korrupsioni dhe droga, e kthimit të politikës tek qytetarët është kauza e drejt e kohës, është kauza me më shumë mbështetës të lirë dhe një kauzë që do të shkojë përpara pa u ndalur”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se çdo kush që i mbështet këto kauza, është i mirëpritur, duke i bërë ftesë edhe kundërshtarëve të tij në parti.

“Akti i djeshëm, nuk është aspak një derë e mbyllur, përkundrazi, tregon se çdokush që vendos Partinë Demokratike të parën, që zgjedh kauzën e drejt të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarët dhe jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin dhe korrupsionin, është e mirëpritur, është pjesë e jona dhe jemi të gëzuar ta kemi mes nesh, edhe nëse për një moment ka humbur rrugën”, tha Basha.

Basha premtoi se PD do të jetë më demokratike dhe se detyra e tij është ta kthejë këtë parti në pushtet, por… “Që të përmbushim aspiratat dhe pritshmëritë që kemi për veten dhe që të gjithë shqiptarët kanë ndaj nesh, ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar, duke u demokratizuar, duke u modernizuar”, tha kreu i PD.

Lulzim Basha nuk kurseu dhe falënderimin për Eduard Selamin, i cili sipas tij, i vlerësoi demokratet duke ju paraqitur një projekt dhe alternativë.

Top Channel