Tirana me çmimin më të ulët të ujit të pijshëm

22/07/2017 00:00

Pavarësisht se është kryeqendra e Shqipërisë, me shtrirjen më të madhe të rrjetit të ujësjellësit dhe konsumin më të madh, sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, Tirana ka çmimin më të ulët të ujit të pijshëm.

Nga grafiku i ERU, kryeqyteti e ka çmimin e ujit të pijshëm 45 lekë/m3, ndërkohë që bashkia Kamëz e ka 65 lekë/ m3. E njëjta situatë vërehet edhe në Korçë, Durrës apo në Lezhë, ku çmimet në këto tre qytete janë më të larta, ndonëse shtrirja e rrjetit të transmetimit është më i vogël.

Tirana është qyteti me popullsinë më të madhe, ku sipas statistikave dhe regjistrit të gjendjes civile, numri arrin në 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Por, rritja e popullsisë shtron edhe nevojë për një menaxhim më të mirë të rezervave hidrike që përdoren për ujin e pijshëm, si dhe investime të rëndësishme në gjithë sistemin e transmetimit.

Me reformën administrative, tashmë qytetit i janë bashkuar edhe njësitë administrative që dikur ishin komuna më vete, infrastruktura e të cilave lë shumë për të dëshiruar, ndërsa puset dhe depot e ujit kishin vite pa iu nënshtruar rikonstruksionit dhe që kërkojnë investime të rëndësishme për disiplinimin e burimeve, ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrjeteve të vërteta të shpërndarjes, si dhe për rritjen e cilësisë dhe të shërbimit si në qendër të qytetit.

Por, për normalizimin e plotë të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit dhe për vitet e ardhshme, nevojiten dhe një sërë investimesh. Sipas planit të Bashkisë së Tiranës, investimet e reja që po realizohen me shpejtësi projektojnë Tiranën për 20-25 vitet e ardhshme, ku pritet rritje e mëtejshme e popullsisë, ndërsa një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe shfrytëzimit të burimeve të reja si burimi i Guri të Bardhë me kapacitet vjetor 18 milionë/m3 ujë në vit. Edhe kapacitetet e Bovillës do kenë rritje me 30%, nga 1800 l/sec – në 2400 l/sec, ndërsa do të rikualifikohet edhe burimi i Shënmërisë që pritet të rrisë furnizimin me ujë në kryeqytet.

Falë këtyre investimeve, pritet që të marrë zgjidhje përfundimtare edhe problemi i furnizimit me ujë të pijshëm i zonave problematike si në Yzberisht, si dhe do të rikonceptohet faturimi i ujit përmes, leximit të matësit në distancë, sikurse ndodh në vendet europiane.

Top Channel