Arrestimi i tatimorëve, Rama: Të ngremë krye ndaj këtij soji!

22/07/2017 00:00

Përmes një tjetër statusi në rrjetet sociale, kryeministri Rama ka ftuar qytetarët që të ngrenë krye ndaj padrejtësive që u bëhen nga punonjësit e administratës publike.

“I madh e i vogël, të ngremë krye ndaj këtij soj”, ka thënë Rama, duke iu referuar rastit të dy tatimorëve të denoncuar nga një biznesmene tek profili i tij.

“Dje më dërgoi një mesazh një zonjë e torturuar nga këta grabitqarë! Asnjë fjalë tjetër nuk i përcakton dot besnikërisht këta “hetues tatimorë”, të cilët me aktin dhe paraqitjen e tyre të sjellin stomakun në fyt!”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur se, këta janë armiku publik numër 1 i popullit shqiptar sot, ndaj dhe i madh e i vogël duhet të ngrenë krye kudo dhe kurdo ata u dalin përpara.

“I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre, e cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t’ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin”, ka vijuar Rama.

Kreu i qeverisë ka theksuar se, nuk do të lodhet së përsërituri shprehjen e bindjes së tij se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë nga “ky soj i ulët grabitqarësh” të paguar me taksat e qytetarëve e që “torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar”.

“Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër. Po punojmë papushim për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe platformën online të bashkëqeverisjes, e për ta filluar ushtrimin e mandatit me çeljen njëkohësisht të regjistrimeve të anëtarëve të koalicionit nga e gjithë Shqipëria, pa dallim bindjesh politike”, ka shtuar Rama.

Top Channel